UNE shqyrton çështjet që kanë të bëjnë me kërkesat për azil, bashkim familjeje, kërkesat për leje qëndrimi dhe punësimi për arsye të tjera nga të sipërpërmendurat, leje banimi, mospranimin në Norvegji, përzënien nga Norvegjia si dhe dhënien e vizave.
UNE ka pak më shumë se 200 të punësuar, 26 nga të cilët janë drejtues komisioni të kualifikuar të punojnë si gjyqtarë. Përveç këtyre, rreth 300 qytetarë kanë pranuar vullnetarisht të marrin pjesë në komisione me cilësinë e anëtarit të komisionit të ankimit (ndihmës gjyqtarit).
UNE mund të marrë vendim në disa mënyra. Vendimi mund të merret nga mbledhja e komisionit me pjesëmarrjen e ankuesit, nga mbledhja e komisionit pa pjesëmarrjen e ankuesit, nga drejtuesi i vetëm i komisionit, ose nga sekretariati. Një nga drejtuesat e komisionit të ankimit vendos për mënyrën e shqyrtimit të çështjeve të veçanta. Vendimi për mënyrën e shqyrtimit të çështjeve të veçanta nuk mund të ankohet.
Në përputhje me Ligjin për të Huajtë, çështjet në të cilat nuk kërkohet vlerësimi në thelb i rrethanave të çështjes vendosen, pa mbledhur komisionin e ankimit, nga drejtuesi i vetëm i komisionit të ankimit ose nga sekretariati. Të tilla mund të jenë, ndërmjet të tjerash, çështjet e përcaktuara nga vetë ligji në të cilat është e thjeshtë që të konstatohet nëse plotësohen kërkesat konkrete të Ligjit dhe të Rregullores për të Huajtë. Mbledhja e komisioni të ankimit thirret për shqyrtimin e çështjes, në rradhë të parë, nëse kërkohet vlerësimi në thelb i fakteve të çështjes.
Në shumicën e rasteve, ankuesi do të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit të ankimit. Por komisioni i ankimit mund të mblidhet edhe pa pjesëmarrjen e ankuesit. Mbledhja e komisionit të ankimit pa pjesëmarrjen e ankuesit mund të ndodhë, për shembull, kur ankuesi dhe UDI kanë rënë dakort mbi rrethanat e çështjes, domethënë se shpjegimi i ankuesit u mor paraqysh për dërgimin e çështjes përpara UNE. Megjithatë, pjesëmarrja e ankuesit është e rëndësishme në rastet në të cilat ankuesi mund të kontribuojë me shpjegimin e rrethanave të çështjes.
Në mbledhjen e komisionit marrin pjesë një drejtues komisioni dhe dy anëtarë të komisionit që janë jo profesionistë. Sekretariati i UNE ka për detyrë të përgatisë çështjet që do të shqyrtohen në mbledhjen e komisionit. Përpara fillimit të mbledhjes, drejtuesi i komisionit të ankimit paraqet dokumentat e çështjes përpara anëtarëve të komisionit. Mbledhjet zhvillohen me dyer të mbyllura.
Mbledhja e komisionit fillon me një paraqitje të shkurtër të çështjes, të dispozitave të veçanta të Ligjit për të Huajtë dhe të Rregullores për të Huajtë që kanë të bëjnë me çështjen, dhe të problemeve juridike më thelbësore të çështjes. Në çështjet në të cilat ankuesi paraqitet në mbledhjen e komisionit të ankimit, ankuesi ka të drejtë të shpjegojë rrethanat faktike të çështjes dhe të vlerësojë rëndësinë e tyre për çështjen. Anëtarët e komisionit kanë të drejtë ti drejtojnë pyetje ankuesit. Advokati ose përfaqësuesi ligjor i ankuesit ka të drejtë të bëjë një përmbledhje të çështjes përpara mbylljes së mbledhjes. Vendimet për çështjet që shqyrtohen në mbledhjen e komisionit merren me shumicë votash.
Vendimi i marrë për çështje të veçanta nuk mund të rishqyrtohet as nga Ministri, as nga mbledhja e Këshillit të Ministrave ose nga drejtuesit e UNE.